Solidariteti si Rezistencë

1 MAJ 2025 – Galeria e Qytetit – Gjilan

Ekspozita „Solidariteti si Rezistencë“ e piktorit Mentor Berisha sjell ciklin e punimeve të fundit të frymëzuar nga `Falja e Gjaqeve` në shenjë të përvjetorit të 35-të të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve gjatë vitit 1990 në Kosovë. Ky cikël pikturash shpalos rolin e këtij aksioni dhe të tubimeve masive si subjekte politike dhe rezistuese gjatë një prej periudhave më të ndjeshme dhe transformuese në historinë e Kosovës. Në qendër të këtyre punimeve qëndron figura e një kolektivi aktiv e me përmasa masive, i cili bëhet dëshmitar dhe bartës i vullnetit për ndryshim. Solidariteti qytetar, në veprat e Berishës, shfaqet përmes ngjyrave, shtresimeve dhe motivit të karvanëve në lëvizje, ku pjesëmarrësit udhëhiqen nga dëshira e thellë për falje dhe vetëdijesim, duke u bërë pjesë e një lëvizjeje popullore që sfidon rendin e vjetër të izolimit dhe gjakmarrjes. Përmes një qasjeje ekspresioniste, piktori përdor teknikën spachtel dhe stilin alla prima, për të krijuar tekstura të trasha që ngjajnë me skulptura të ngritura mbi sipërfaqen e kanavacës – një proces që u jep veprave thellësi emocionale dhe plastike. Pikturat paraqesin grupe njerëzish të zhveshur nga individualiteti, të cilët shndërrohen në një simbol unifikues, në një protagonist të përbashkët që kërkon skenë dhe veprim. Berisha nuk i vendos masat në një hapësirë të caktuar arkitektonike, por zgjedh perspektiva të hapura si: livadhe, fusha dhe lendina, ku turma shpërndahet në territor gjatë udhëtimit të saj. Dritat dhe ngjyrat e shtresuara përçojnë tensionin e çastit, dinamizmin e aksionit dhe gjallërinë e përbashkët që ngjizet në to. Kjo ekspozitë nuk është vetëm një kujtesë vizuale për të kaluarën, por edhe një formë alternative e eksplorimit dhe reflektimit mbi të.

Kurator: Alban Beqiraj

Photo credit: Kushtrim Haxha

>>KOHA

>>OBSERVER KULT