Më 20 shkurt, në hyrje të Minierës së Trepçës u mbajt ekspozita e piktorit Mentor Berisha me titull “Solidariteti si Rezistencë”, në 35 vjetorit e grevës së minatorëve të vitit 1989.
Greva e Minatorëve të Trepçës shënon një moment të rëndësishëm historik të shqiptarëve në Jugosllavi, si formë e rezistencës politike kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës në kuadër të kushtetutës së vitit 1974, që rezultoi më vonë me burgosje të punëtorëve, largim nga puna, duke thyer kështu çfarëdo konvente ndërkombëtare mbi organizimin sindikal. Kjo ngjarje pastaj, frymëzoi një mobilizim mbarëkombëtar kundër represionit sistematik ndaj shqiptarëve përgjatë viteve 90-ta në Kosovë.

Në ketë ekspozitë, përmes artit të pikturës Berisha shpalosë një përmbledhje të rezistencës së grevës në njërin prej horizonteve të kësaj miniere. Pikturat janë të vendosura në një hapësirë të veçantë që mbart shpirtin e kësaj ngjarje historike, duke evokuar dinamikën e kujtesës përgjatë një angazhimi të përbashkët politik.
Cikli i pikturave reflekton mbi forcën e veprimit social, duke hedhur dritë kryesisht mbi karakterin solidar të një kombi. Në motivin e këtij cikli, përmes laboratorit krijues artistik rigjejmë rrugën e kthimit në kohë, në çastet më solidare, ku vepra e artit gati shndërrohet në një homazh, në një dritare ku rishfaqen arketipe identitare nga fryma e ekspresionizmit modern, e pikturat shprehin më tepër se anën e tyre dydimensionale.
Kurator i kësaj ekspozite është Alban Beqiraj.

Kjo ekspozitë u realizua NGO “Molla e Kuqe” në bashkëpunim me “Miniera e Trepçës” dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Video credit: Kushtrim Haxha

The Miners Paintings